A duhet të paguaj taksë për parashtrim të padisë?
Po.
Varësisht nga natyra e kontestit tuaj dhe nga vlera e objektit të kontestit, ju jeni të obliguar të paguani taksën gjyqësore kur iniconi procedurë gjyqësore apo paraqisni ankesë. Taksat gjyqësore janë të paracaktuara dhe aplikohen në bazë të rregullave të caktuara ligjore që përcaktojnë tarifat për çdo lloj çështjeje dhe vlerën e kontestit. Kjo është për të mbuluar shpenzimet administrative të gjykatës dhe për të siguruar një trajtim të drejtë të çështjes suaj.
Taksën duhet ta paguani në xhirollogarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Detajet e xhirollogarisë dhe udhëzimet për pagesën mund t'i gjeni në webfaqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës ose në administratën e gjykatës ku po paraqisni padinë. Sigurohuni që të përdorni informacionet e sakta për pagesën për të shmangur ndonjë vonesë ose problem në procesin e padisë suaj.
Pasi ta kryeni pagesën duhet t'ia prezantoni gjykatës fletëpagesën/dëshminë e pagesës. Kjo mund të bëhet duke ia dorëzuar gjykatës një kopje të fletpagesës në administratën e gjykatës ose mund t'ia dërgoni gjykatës përmes postës. Është e rëndësishme të ruani një kopje të fletëpagesës për dokumentacionin tuaj personal dhe si dëshmi që pagesa është kryer. Kjo siguron që gjykata të ketë prova të pagesës së taksës gjyqësore, çka është e nevojshme për të vazhduar me procedurën gjyqësore.