Çka është kërkesa juridiko-pasurore?
Nëse me vepër penale ju është shkaktuar ndonjë dëm i drejtëpërdrejtë ose i tërthortë atëherë ju mund të kërkoni kompensim. Dëm nga vepra penale mund të jetë p.sh. humbja e pronës, dëmtimi i pronës, humbja e fitimit, dëmtimi fizik ose psiqik, humbja e jetës së bashkëshortit ose të anëtarit të familjes, etj.
Gjykata, kur e shpallë fajtor personin për një vepër penale, mund ta urdhërojë atë që të ju kompensojë për dëmin e shkaktuar në të njëjtin proces gjyqësor penal.
Shpesh gjykatat, pas marrjes së aktgjykimit, e udhëzojnë palën e dëmtuar që në proces civil ta kërkojë realizimin e kompensimit (pra, kërkesës juridiko-pasurore). Kjo do të thotë se ju duhet të paraqisni padi civile ndaras, pra të iniconi kontest civil për realizimin e kërkesës suaj. Kësaj padie ia bashkëngjitni Aktgjykimin e formës së prerë të marrë nga gjykata në procedurë penale.