Udhëzues - Procedura Penale
Hyrje
Ky udhëzues është krijuar për t’ju pajisur me informacionet bazike dhe udhëzimet e nevojshme për të kuptuar dhe ndjekur hapat më të rëndësishëm gjatë procedurës penale në gjykatat e Kosovës. Udhëzuesi përshkruan procesin gjyqësor, të drejtat dhe detyrimet e palëve të përfshira, dhe formatet standarde për dokumentet që përdoren gjatë procedurës.
Qëllimi i këtij udhëzuesi është t'ju ofrojë një përmbledhje të qartë dhe të thjeshtë të procedurës penale, duke e bërë më të lehtë për ju të kuptoni dhe të përgatisni dokumentet dhe veprimet e nevojshme në rastet tuaja gjyqësore.
Ky udhëzues nuk duhet të lexohet si dokument që ofron këshilla ligjore për ju gjatë procedurës. Qëllimi i këtij udhëzuesi është t'iu pajisë me informata bazike lidhur me procedurat dhe të drejtat e në procedurë. Informatat brenda këtij udhëzuesi nuk janë gjithpërfshirëse. Prandaj, ky udhëzues mund të përmbajë informata që nuk janë të përshtatshme për raste të veçanta ose të përmbajë informata sipërfaqësore të cilat duhet të lexohen së bashku me ligjet në fuqi.
Informata për palën e dëmtuar
1. Kush cilësohet si palë e dëmtuar në procedurë penale?
Nëse jeni dëmtuar nga ndonjë veper penale ose ju ka rrezikuar ndonjë të drejtë personale ose pasurore atëherë ju jeni palë e dëmtuar ose viktimë. Nëse dikush hyn në banesën tuaj dhe ju vjedhë gjësendet, ose nëse dikush ju sulmon, ju kanosë ose ju shkakton lëndime trupore, atëherë ju konsideroheni palë e dëmtuar nga vepra penale.
2. Si mund të bëhem pjesë e procesit penal si palë e dëmtuar?
Ju keni të drejtë të paraqisni kallëzim penal në Polici ose në Prokurori dhe të kërkoni fillimin e procedurës penale. Kallëzimin penal mund ta bëni për të gjitha veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare.
3. Si mund ta di cilat janë veprat penale?
Të gjitha veprat penale janë të përcaktuara në Kodin Penal të Kosovës, i cili është i qasshëm në web faqen e Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Gazeta zyrtare është burimi kryesor dhe më i sigurtë për sa i përket ligjeve të zbatueshme, prandaj sigurohuni që t’i lexoni ligjet nga ky burim, që të mos i referoheni ligjeve të shfuqizuara që janë të pazbatueshme.
4. Në çfarë forme mund ta parashtroj kallëzimin penal?
Kallëzimin penal mund ta parashtroni në formë të shkruar në Prokurori, si dhe përmes formave tjera të komunikimit psh. Përmes emailit ose edhe gojarisht.
5. Cili është roli i Prokurorisë së Shtetit?
Ju mund të iniconi kallëzim penal dhe të denonconi kryerjen e veprave penale. Sidoqoftë, ju nuk mund të iniconi proces gjyqësor penal. Kjo kompetencë i takon vetëm prokurorit/es së shtetit.
Pra, vetëm Prokurori/ja i/e Shtetit mund të ngrisë aktakuzë dhe të fillojë procedurën në gjykatë kundër të pandehurit për kryerjen e veprave penale. Pas zhvillimit të hetimeve Prokurori/ja vlerëson nëse informatat dhe provat e mbledhura gjatë hetimit paraqesin dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer vepër penale.
Prokurori/ja e përfaqëson interesat publike të Republikës së Kosovës para gjykatave dhe urdhëron masa sipas Kodit Penal të Kosovës. Psh. mund të urdhërojë arrestimin e personave, mund ta kërkojë caktimin e paraburgimit në gjykatë, etj.
Prokurori/ja i analizon provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese lidhur me kallëzimet penale.
6. Gjykata, ose prokurori/ja i/e shtetit nuk mi kanë siguruar shkresat e lëndës edhe pse kam parashtruar kërkesë me shkrim. Çka mund të bëj?
Ju mund të parashtroni kërkesë të përsëritur për sigurimin e shkresave të lëndës dhe të shkoni në institucionin ku e keni parashtruar kërkesën të kërkoni informata për kërkesën tuaj.
7. Gjykata, ose prokurori/ja, i/e shtetit ma ka refuzuar kërkesën për sigurimin e shkresave të lëndës. Çka mund të bëj?
Gjykata ose prokurori/ja e shtetit mund të ju refuzojë kërkesën për sigurimin e shkresave të lëndës nëse konsideron se sigurimi i tyre për juve ka gjasa të rrezikojë qëllimin e hetimit, jetën ose shëndetin e njerëzve apo do ta zbarriste në mënyrë të konsiderueshme procedurën dhe i dëmtuari ende nuk është pyetur si dëshmitar.
Nëse konsideroni se në rastin tuaj gjykata ose prokuroria nuk i ka vlerësuar drejt rrethanat e rastit tuaj dhe padrejtësisht ju ka kufizuar qasjen në shkresat e lëndës atëherë ju mund të parashtroni ankesë.
Ju mund të parashtroni ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake. Vendimi që e merr ky gjyqtar është përfundimtar për këtë çështje.
Nëse vet gjyqtari/ja i/e procedurës paraprake është ai/ajo që nuk ju ka ofruar shkresat e lëndës, atëherë ankesën duhet ta paraqitni te kolegji shqyrtues i gjykatës.
8. Cilat janë të drejtat e mia si palë e dëmtuar në proces gjyqësor penal?
Si i/e dëmtuar ju keni të drejtë:
Të merrni pjesë në seancë gjyqësore;
Të bëni deklarata për faktet dhe provat e paraqitura;
T'i merrni në pyetje dëshmitarët e palës tjetër;
Të kërkoni nga prokurori/ja të thirren dëshmitarë;
Të kërkoni që të ju sigurohet qasje në shkresat e lëndës;
Të paraqisni kërkesën për kompensimin e dëmit material, fizik ose emocional të shkaktuar nga vepra penale për të cilën të pandehurit është shpallur fajtorë.
9. A duhet patjetër të përfaqësohem nga një avokat në procedurë?
Jo domosdoshmërisht.
I keni tri mundësi:
1) Të përfaqësoheni nga një avokat;
2) Të përfaqësoheni nga mbrojtësi i viktimave apo
3) Ta përfaqësoni veten.
10. Në çfarë forme mund të parashtroj kërkesa apo propozime për realizimin e të drejtave të mia?
Gjatë ushtrimit të të drejtave tuaja, sidomos kur keni kërkesa ose propozime konkrete, qoftë për gjykatën, për prokurorinë apo për policinë, sigurohuni që të gjitha këto t'i bëni në formë të shkruar.
Mbajeni gjithmonë një kopje identike për vete të të gjitha shkresave që i dorëzoni te institucionet.
Në seanca gjyqësore apo gjatë marrjes në pyetje si palë e dëmtuar, ju mund t'i parashtroni kërkesat apo propozimet tuaja gojarisht dhe t'i diktoni ato në procesverbal të gjykatës, të prokurorisë apo të policisë
11. Çka është kërkesa juridiko-pasurore?
Nëse me vepër penale ju është shkaktuar ndonjë dëm i drejtëpërdrejtë ose i tërthortë atëherë ju mund të kërkoni kompensim. Dëm nga vepra penale mund të jetë p.sh. humbja e pronës, dëmtimi i pronës, humbja e fitimit, dëmtimi fizik ose psiqik, humbja e jetës së bashkëshortit ose të anëtarit të familjes, etj.
Gjykata, kur e shpallë fajtor personin për një vepër penale, mund ta urdhërojë atë që të ju kompensojë për dëmin e shkaktuar në të njëjtin proces gjyqësor penal.
Shpesh gjykatat, pas marrjes së aktgjykimit, e udhëzojnë palën e dëmtuar që në proces civil ta kërkojë realizimin e kompensimit (pra, kërkesës juridiko-pasurore). Kjo do të thotë se ju duhet të paraqisni padi civile ndaras, pra të iniconi kontest civil për realizimin e kërkesës suaj. Kësaj padie ia bashkëngjitni Aktgjykimin e formës së prerë të marrë nga gjykata në procedurë penale.
12. Jam njoftuar lidhur me mbajtjen e senacës së shqyrtimit gjyqësor. Çka duhet të kem parasysh?
Për të hyrë në objektin e gjykatës, ju duhet ta keni me vete letërnjoftimin ose një tjetër dokument identifikues të cilin e paraqitni kur arrini në gjykatë.
Nëse keni ndonjë shkresë për ta dorëzuar, ju mund ta dorëzoni në shkrimoren e gjykatës ose t’ia dorëzoni gjykatësit/ses kur jua jep fjalën për t’i paraqitur pretendimet dhe kërkesat tuaja.
Rekomandohet që t’i përgatisni të gjitha kërkesat dhe deklarimet që do t’i bëni gojarisht në seancë edhe me shkrim dhe t’i nënshkruani në fund.
13. Nuk jam i/e kënaqur me aktgjykimin e gjykatës në lëndën ku jam palë e dëmtuar. Çfarë mund të bëj?
Ju mund të prashtroni ankesë ndaj aktgjykimeve vetëm për sa i përket sanksionit penal. Psh. me ankesë mund të kërkoni sanksion më të ashpër nëse konsideroni se sanksioni i shqiptuar është i butë apo të kërkoni të rritet shuma e dënimit me gjobë.
Ankesa ndaj aktgjykimit për palët e dëmtuara është e kufizuar dhe mund të paraqitet vetëm për këto lloje të veprave penale:
kundër jetës dhe trupit (psh. për sulm, lëndim trupor, vrasje, etj)
Kundër integritetit seksual (psh. për ngacmim seksual, sulm seksual, dhunim, etj.)
Kundër sigurisë së trafikut publik (psh. rrezikimi i trafikut publik, ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur, etj.)
Për shpenzimet e procedurës penale.
Informata për të akuzuarin/ën
14. Policia më ka arrestuar. Cilat janë të drejtat e mia?
Ju keni të drejtë:
Të informoheni lidhur me të gjitha të drejtat që ju takojnë;
Të njoftoheni në gjuhën që e kuptoni pse ju kanë arrestuar (nëse nuk e kuptoni gjuhën atëherë ju sigurohet përkthimi falas);
Të heshtni e të mos përgjigjeni në asnjë pyetje, përpos pyetjeve që kanë të bëjnë me identitetin tuaj (pra, emri dhe mbiemri juaj, emrat e prindërve, profesioni, adresa juaj, data e lindjes, si dhe informata tjera që lidhen me identitetin tuaj).
Ta lajmëroni që ju kanë arrestuar anëtarin e familjes ose ndonjë person tjetër sipas zgjedhjes suaj ose të kërkoni nga policia ta bëjë këtë për ju;
Të angazhoni një avokat (mbrojtës) dhe të këshilloheni me të para dhe gjatë marrjes në pyetje;
Të keni kontroll mjekësor dhe trajtim mjekësor nëse keni nevojë; duke përfshirë këtu edhe trajtimin psikiatrik.
15. A duhet patjetër të përfaqësohem nga një avokat në proces gjyqësor?
Jo domosdoshmërisht.
Ju mund të mbroheni personalisht ose me ndihmën e një avokati të licencuar nga Oda e Avokatëve. Sidoqoftë, janë disa raste në të cilat jeni të detyruar të ju përfaqësojë një avokat.
16. Në cilat raste është e detyrueshme të më përfaqësojë një avokat?
Mbrojtja është e detyrushme në të gjitha rastet e mëposhtme, që do të thotë se edhe po që se ju nuk angazhoni avokat për të ju përfaqësuar, gjykata ose një organ tjetër do të ju caktojë një avokat/mbrojtës për përfaqësim.
Rastet kur mbrojtja/përfaqësimi nga një avokat është e detyrueshme janë si vijon:
nga marrja në pyetje për herë të parë nëse jeni memec, shurdh, i verbër ose nëse shprehni shenja të çrregullimeve apo paaftësisë mendore dhe jeni të paaftë të mbroheni vetë me sukses;
gjatë seancës për caktimin e paraburgimit dhe gjatë kohës që gjendeni në paraburgim;
nga ngritja e aktakuzës, kur aktakuza është ngritur kundër juve për vepër penale të dënueshme me të paktën 10 vjet burgim;
në procedurë sipas mjeteve të jashtëzakonshme juridike kur jeni memec, shurdh ose shprehni shenja të çrregullimit apo të paaftësisë mendore ose nëse ju është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm; dhe
17. Nuk kam mundësi ta paguaj një avokat dhe në rastin tim mbrojtja nuk është e detyrueshme, a ka ndonjë rrugë tjetër ta siguroj avokatin të më përfaqësojë në procedurë?
Po.
Ju mund të bëni kërkesë që të ju caktohet një avokat i pavarur me përvojë dhe me kompetencë që të ju përfaqësojë
18. Nga cili moment kam të drejtë të kem një avokat që më përfaqëson?
Që nga marrja në pyetje për herë të parë nga organi që e zhvillon procedurën penale, qoftë nga Policia, Prokuroria ose Gjykata.
19. Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër meje për dyshimin se kam kryer vepër penale, çka ndodhë tash?
Prokurori i shtetit brenda 10 ditëve nga ngritja e aktakuzës ju siguron juve dhe avokatit tuaj, të gjitha materialet e rëndësishme për akuzën duke përfshirë:
procesverbalet mbi deklarimet ose pohimet;
emrat e dëshmitarëve që do t’i thërrasë të dëshmojnë;
të dhënat e personave ose prova që mund të jenë shfajësuese për ju;
kallëzimet penale dhe raportet e policisë;
rezultatet e ekzaminimit fizik dhe mendor, testet shkencore ose eksperimentet që lidhen me lëndën;
përmbledhjet ose referencat për provat materiale të mbledhura gjatë hetimit.
Gjykata cakton mbajtjen e seancës së shqyrtimit fillestar e cila duhet të mbahet brenda 30 ditëve pas ngritjes së aktakuzës.
Nëse ju gjendeni në paraburgim atëherë seanca duhet të caktohet brenda 15 ditëve.
20. Çka ndodhë në seancën e shqyrtimit fillestar në gjykatë?
Në këtë seancë prokurori/ja e lexon aktakuzën dhe ju deklaroheni se a e keni kuptuar aktakuzën dhe a ndiheni fajtor për akuzat të ngritura ndaj juve nga Prokuroria.
Ju mund ta pranoni fajësinë.
Ju keni të drejtë të heshtni e të mos deklaroheni fare. Heshtja juaj do të interpretohet si refuzim i akuzave dhe do të vazhdohet me procesin gjyqësor.
Nëse jeni në paraburgim, ose ndaj juve është shqiptuar ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë suaj në procedurë (psh. arresti shtëpiak, paraqitja në stacion policor etj.) atëherë ju mund t’i propozoni gjykatës t’i rishqyrtojë këto masa.
Gjykatësi/ja e cakton seancën e shqyrtimit të dytë e cila mbahet brenda 30 ditëve nga seanca e shqyrtimit fillestar, por jo më vonë se 40 ditë nga seanca e shqyrtimit fillestar.
21. Si mund ta kundërshtoj aktakuzën dhe provat e saj?
Nëse nuk e pranoni fajësinë, atëherë mund ta paraqisni Kundërshtimin e provave dhe Kërkesën për hedhjen e aktakuzës.
Gjykata merr aktvendim me shkrim lidhur me këtë kërkesë dhe ju keni të drejtë të ankoheni ndaj këtij vendimi, nëse nuk jeni i kënaqur me të. Gjykata e Apelit e shqyrton ankesën tuaj dhe ju njofton për vendimin e marrë lidhur me ankesën.
22. Çka ndodhë nëse gjykata e miraton kërkesën time për hedhjen e aktakuzës?
Nëse gjykata vendosë ta hedhë aktakuzën, Prokuroria ka të drejtë të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të gjykatës dhe ju keni të drejtë të përgjigjeni ndaj kësaj ankese. Gjykata e Apelit merr vendim lidhur me ankesën.
23. Çka ndodhë nëse aktakuza konfirmohet nga gjykata dhe refuzohet kërkesa ime për hedhjen e aktakuzës?
Caktohet seanca e shqyrtimit gjyqësor.
Në këtë seancë lexohet aktakuza, ku ju deklaroheni sërish nëse e konsideroni veten fajtor për akuzat ndaj jush, pastaj paraqitet fjala hyrëse e prokurorit të shtetit, e të dëmtuarit dhe e avokatit të të akuzuarit.
Më pas paraqiten provat dhe dëgjohen dëshmitarët, ekspertët dhe në fund jepet fjala përfundimtare.
24. Cilat janë të drejtat e mia gjatë shqyrtimit kryesor në gjykatë?
Si i/e akuzuar, ju keni të drejtë:
të deklaroheni për të gjitha faktet dhe provat të paraqitura kundër juve;
të paraqisni prova dhe fakte në favorin tuaj;
të thirrni dëshmitarë;
t'i merrni në pyetje dëshmitarët;
të keni qasje në të gjitha shkresat e lëndës dhe dëshmitë (duke i kopjuar, fotografuar apo shikuar të gjitha shkresat);
të keni mjaftueshëm kohë për ta përgatitur mbrojtjen ndaj akuzës;
nëse nuk e flisni gjuhën në të cilën po zhvillohet procedura kundër jush, ju keni të drejtë në përkthim pa pagesë dhe njoftim në gjuhën që e kuptoni të procedurës, provave, fakteve.
25. Nuk jam i/e kënaqur me vendimin e gjykatës për rastin tim. Çka mund të bëj?
Ju mund të paraqisni ankesë.
Ankesën mund ta paraqisni edhe përmes avokatit tuaj apo mbrojtësit.
Arsyet e vlefshme për të parashtruar ankesë në procedurë mund të jenë njëra apo disa nga arsyet e mëposhtme:
shkelja esenciale e dispozitave të procedurës penale;
shkelja e ligjit penal;
vërtetimi i gabueshëm ose jo i plotë i gjendjes faktike;
vendimit lidhur me shqiptimin e sanksionit penal, konfiskimit të dobisë pasurore të fituar me vepër penale, shpenzimeve të procedurës penale, kërkesave pasurore juridike, si dhe për shkak të vendimit mbi publikimin e aktgjykimit.